Drejtori që i duhet Republikës
Ende pa u mbyllur aplikimet, shohim në disa media se janë 14 kandidatë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Njëri më i mirë se tjetri: CV me dekorata dhe vlerësime, specialistë dhe karrierë e merituar.
Kryeministri Rama ka theksuar se vlerëson njerëzit e punës dhe dijes në fushën e policisë. Megjithatë, mes emrave shohim se dikush vjen nga radhët e “të fortëve”, dikush nga karriera e ndërtuar me miq e shokë, parti e anti-parti. Fatkeqësisht, pothuajse askush nuk vjen nga bota akademike (Akademia e Policisë), një institucion që kohët e fundit është kthyer në një "strehë të të përndjekurve" brenda radhëve blu.
Kush është profili i Drejtorit që ne duam?
Një burrë apo grua që zbaton ligjin dhe jo Maliqin! Një drejtues që vepron i paintimiduar dhe i pandikuar nga grupet e interesit, nga personat me influencë në qeveri, apo nga ata që fshihen pas kullave të Tiranës. Një figurë që bashkon dhe mbron interesat e mia, të tuat, të familjes dhe të kujtdo që jeton në këtë vend. Një profesionist të vërtetë, dhe jo një shërbëtor të pushteteve për interesa personale. Një Drejtor që përpara grupeve kriminale—në shtet apo privat—i përgjigjet vetëm Ligjit dhe Kushtetutës, jo Surrelit apo SHQUP-it!
Unë mbështes këdo që plotëson dhe angazhohet për këto parime bazë, kushtetuese, dhe mbi të gjitha, atdhetare.
14 emra janë shumë, por njëkohësisht edhe pak! I shikoj me radhë një nga një, si qytetar, si specialist, por edhe si dikush që ka vendosur të jetojë këtu, në Shqipëri. Shoh njerëz në prag pensioni; shoh kandidatë të shtyrë nga individë me probleme me drejtësinë; shoh kandidatë që thelbësisht kanë probleme me SPAK-un. Shoh njerëz të pafytyrë që deri dje e godisnin këtë mazhorancë me shkopinj gome e gaz lotsjellës, dhe sot i vardisen pushtetit sipas oreksit të tyre apo mikut deputet. Synimi? Të bëhen Drejtor të Përgjithshëm, ose minimalisht të kapin Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shoh individë që kërkojnë këtë post në emër të “profesionalizmit”, por që mbështeten nga trafiqet dhe personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Por gjithashtu, mes tyre, shoh edhe kandidatë të denjë për Policinë që unë dua, Policinë që Shqipëria do!
Refuzoj të merrem me kandidatët e përjetshëm (të ndikuar nga jashtë, nga njerëz dhe grupe të caktuara), por i uroj suksese më të mirit—atij që do të ruajë shtëpinë time, fëmijët në shkollë, prindërit e mi dhe, mbi të gjitha, emrin Shqipëri, larg klaneve të drogës!
Kryeministër, trego që je ai i vitit 2013 dhe nuk ke lidhje as me ish-funksionarë dhe as me interesa të çastit! Zgjidh profesionistin e "profesionistëve", sepse në të kundërt, çfarë të gatuash sot, do ta hash vetë nesër!