Dosja “Balluku”: Përplasja e hapur Kuvend-SPAK dhe lëvizja e radhës e drejtësisë

Dosja “Balluku”: Përplasja e hapur Kuvend-SPAK dhe lëvizja e radhës e drejtësisë
Peshorja e drejtësisë dhe palët që e tërheqin

Mosdhënia e autorizimit nga Kuvendi i Shqipërisë për t’i hapur rrugë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në arrestimin e znj. Belinda Balluku, ka shënuar një precedent të ri dhe një krisje të hapur institucionale mes mazhorancës dhe drejtësisë së re.

Në këto ditë të para të pranverës, shumë ekuacione presin një përgjigje nga politika shqiptare. Reagimi i menjëhershëm i përfaqësive kryesore diplomatike, si para ashtu edhe pas mbledhjes së Kuvendit, riktheu edhe një herë në vëmendjen e ndërkombëtarëve brishtësinë e vullnetit politik në Tiranë.

Mesazhet e prera të ndërkombëtarëve

Një sinjal i qartë erdhi nga Ambasada Britanike përpara nisjes së seancës, një mesazh që tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, por në dukje ra në vesh të shurdhër për politikën. Megjithatë, ajo që pasoi ngjante me një lëvizje thellësisht të koordinuar ndërkombëtare. Menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare dhe mbylljes së protestës së opozitës, Ambasada Gjermane lëshoi një mesazh edhe më të ashpër dhe të drejtpërdrejtë se ai britanik. Gjatë ditës, kësaj vale reagimesh iu bashkuan edhe përfaqësitë diplomatike të Holandës dhe Suedisë.

Precedenti “Veliaj” dhe mburoja e përkohshme

Fati i këtij votimi dhe refuzimi i autorizimit dihej prej ditësh. Mazhoranca, e vendosur në një llogore mbrojtëse njëlloj si në rastin "Tahiri", përdori imunitetin parlamentar për të mos lejuar SPAK-un ta hetojë znj. Balluku nën një masë më shtrënguese sigurie.

Por sa do të zgjasë kjo mburojë? Historia e afërt tregon se mbrojtja politike përballë SPAK-ut ka një datë skadence. Edhe në rastin e Erion Veliajt, në ditët e para u krijua iluzioni se Kryeministri dhe mazhoranca do ta mbronin deri në fund. Koha provoi të kundërtën. SPAK dhe GJKKO jo vetëm që nuk u tërhoqën drejt masave më të lehta, por i intensifikuan hetimet me prova e fakte të reja, duke bërë që prej 10 shkurtit 2025, Veliaj të ndodhet në paraburgimin e Durrësit.

Çfarë pritet të ndodhë me rastin Balluku?

Burime nga korridoret e drejtësisë paralajmërojnë se saga sapo ka nisur. SPAK pritet t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë të dytë për rastin e znj. Balluku. Kësaj radhe, dosja nuk pritet të jetë thjesht një përsëritje, por do të shoqërohet me prova dhe fakte të reja që lidhen me projekte dhe procedura tenderimesh të realizuara gjatë viteve të fundit. Për më tepër, flitet për një riklasifikim të mundshëm të veprës penale, duke e bërë akuzën edhe më të rëndë.

Nëse Kuvendi përgjigjet sërish me një “JO”, kjo jo vetëm që do të minonte përfundimisht marrëdhëniet e SPAK me mazhorancën, por do të provokonte një reagim ekstrem nga partnerët ndërkombëtarë, i cili mund të përkthehet në pezullimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Teksa presim ditët e para të verës, SPAK nuk duket se ka ndërmend të ngadalësojë ritmin. Priten goditje të reja nga lista e gjatë e zyrtarëve të lartë që ndodhen nën lupën e kësaj strukture. Ky do të jetë edhe mesazhi përfundimtar i drejtësisë për mazhorancën: Ne jemi këtu dhe do t'i shkojmë të vërtetës deri në fund.